Si e ndryshoi COVID-19 transportin?

COVID-19 padyshim ka sjellë ndryshime të papritura në jetët e gjithsecilit prej nesh. Sektorët e transportit dhe të mallrave sigurisht nuk kanë mbetur të paprekur! Pandemia ka prekur të gjitha format e transportit duke nisur që nga makinat, trenat, autobusat dhe avionët.

Në çdo vend në të gjithë botën, jemi goditur rëndë nga pandemia e COVID-19. Patronazhi i transportit publik dhe përdorimi i rrugës kanë rënë ndjeshëm. Nuk është befasi pasi kaq shumë njerëz kanë humbur punën e tyre ose janë duke punuar nga shtëpia. Në gjithë këtë situatë ne po shohim disa zhvillime interesante të transportit në të gjithë botën,qoftë për arsye të distancës sociale ose për mundësinë e eksperimentimit. Çiklizmi ka parë një bum, dhe përdorimi i bicikletave dhe kryesisht skuterave është në rritje në shumë zona. Frika e njerëzve ne transporte publike I ka kthyer bicikletat në një trend dhe tashmë shihen si zgjidhja ideale për transport.

Pandemia COVID-19 ka riformuar qytetet tona në shumë mënyra. Ndërsa numri i automjeteve në rrugë ka rënë gjatë bllokimit, në rritje është numri i njerëzve të cilët kanë zgjedhur ecjen dhe biçikletat si opsion, duke lëvizur me siguri nëpër rrugët dikur të mbingarkuara. Ndryshimet ne mendesi dhe veprimtari kanë sjellë disa benefite të dukshme: ndotja e ajrit lokal ka rënë deri në 60% globalisht, dhe qytetet që dikur ishin të mbuluara me një shtresë të trashë smogu po përjetojnë qiellin e tyre të parë blu për një kohë të gjatë.

Pyetja që të vjen natyrshëm në mendje është nëse bicikletat do vazhdojnë të jenë zgjidhja parësore pas pandemisë. Mjaftojnë 21 ditë që një veprim I perditshëm të kthehet në zakon dhe rutinë për ne nga e cila e kemi të vështirë të heqim dorë më pas. Qartazi shume njerëz kanë vendosur të shmangin perdorimin e makinave duke e konsideruar përdorimin e bicikletave një zakon që duhet të vazhdoje pasi ka mjaftueshëm benefite në jetën tonë të përditshme. Armiku yne më I madh në ditët e sotme duket sikur ka edhe të mirat e tij në menyrën sesi ka ndryshuar jetën tonë, impakti është I drejtpërdrejtë dhe cdo ditë vëmë re njerëz që janë më shumë të përgjegjshëm për veten dhe komunitetin.

Nga mbyllja totale apo me orar, banorët e qyteteve te ndryshme kanë provuar hapësirën urbane të lirë nga trafiku i zhurmshëm për herë të parë që nga rritja e jashtëzakonshme e përdorimit të makinave. Shumë prej tyre kanë rizbuluar ecjen dhe biçikletën, duke mbushur rrugët e qytetit me njerëz dhe jo me makina. Mes gjithë kaosit, pandemia na ka dhënë një këndvështrim të ri se si mund të duket një qytet miqësor për këmbësorët, miqësorë për biçikletat, me më pak viktima rrugësh, më pak ndotje dhe një mjedis më të mirë urban.

Kjo nuk mund të jetë thjesht një modë kalimtare: tani që pandemia ka hapur sytë për rëndësinë e transportit pa motor, ne kemi një dritare të vogël mundësie për të shndërruar përgjigjet afatshkurtra në ndryshime afatgjata - dhe për të krijuar qytete të jetueshme dhe me frymëmarrje.

Shpërndani këtë postim

Komente (0)

Nuk ka komente